Fatbardh Kadilli: Gara në PD ishte e pabarabartë, i takon Bashës ta mbajë partinë të bashkuar – Stop
Aktualitet, Të Gjitha

Fatbardh Kadilli: Gara në PD ishte e pabarabartë, i takon Bashës ta mbajë partinë të bashkuar

Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli shprehet se pas zgjedhjeve i takon Lulzim Bashës, jo vetëm ta mbajë partinë të bashkuar por ta çojë atë në fitore.

Ndërsa e cilësoi garën si të “pabarabartë”, z. Kadilli theksoi se 3 javë për të bërë fushatë ishte një kohë e pamjaftueshme. Ai foli për përdorim të aseteve partiake nga z. Basha si dhe për thyerje të rregullave të garës.

“Kjo garë nisi e pa barabartë dhe përfundoi e pabarabartë. Kishte pamundësi për secilin nga kandidatët për të garuar me kryetarin në detyrë prej 8 vitesh. E gjithë trupa e PD u përfshi hapur në fushatë kundër etikës dhe udhëzimeve që nxori partia. Po jap vetëm një tregues të thjesht, faqet e degëve të PD publikonin vetëm takimet e Lulzim Basha. Kishte të gjithë aparatin e partisë në funksion, vetëm fotografë kishte me vete katër persona”, deklaroi z. Kadilli.

Ai tha se shifrat e reja për anëtarësinë tregojnë se nga 106 mijë anëtarë, PD ka zbritur sot në 76 mijë dhe sipas tij përgjegjësia për tkurrjen i takon kryetarit të partisë. Z. Kadilli u shpreh  se shumë persona që kanë qenë anëtarë të PD, sot nuk e gjejnë më emrin në listë.

Pavarësisht se nuk siguroi vota për të qenë kryetar i PD, z. Kadilli thotë se do ta vazhdojë projektin e tij për reformimin e partisë duke shtuar se “thelbi i manifestit është që partia është më e madhe se sa kryetari”.

“Betejën për demokratizimin e partisë do ta vazhdoj, por jo në organizim paralele. Do të komunikoj me demokratët rrugët janë të pafundme. Jam i vendosur t’i shkoj deri në fund këtij projekti”, tha ai.

I pyetur se çfarë prite të ndodhi në përfundim të garës dhe se a mund të ketë përçarje brenda PD, z. Kadilli u përgjigj se kjo mbetet në dorë të z. Basha.

“Pas këtij momenti kësaj i takon të përgjigjet kryetari i partisë pasi me meritë, pa meritë është ai që zotëron partinë. I takon atij të mbajë përgjegjësitë jo vetëm për të mbajtur partinë të bashkuar por për të arritur fitoren”, përfundoi z. Kadilli.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *