“E vetmja rrugë e ndershme, dorëheqja” Arben Imami-Bashës: Do të jetë vrima e miut 500 groshë nëse…

Grupimi për Partinë Demokratike ka kërkuar që Lulzim Basha të largohet nga drejtimi i selisë blu. Pjesë e këtij grupimi janë emra të njohur mes demokratëve, nga Bujar Nishani e Arben Imami, tek Edith Harxhi, Ibsen Elezi, Indrit Hoxha, Bisslim Ahmetaj, Edivn Kulluri dhe Arben Ristani.

Në fjalën e tij, ish-deputeti Arben Imami tha se ky grupim do të bëjë më shumë se gjithçka për ta larguar Lulzim Bashën nga drejtimi i partisë. Ai foli me tone të ashpra ndaj kreut të PD-së kur tha se “do të jetë vrima e miut 500 groshë nëse mendon se në koalicion me PS-në, me zgjatje jo u vodhën votat, jo do hyjnë në parlament, jo nuk do hyjmë në parlament etj., do t’i futet një fushate”.

Sipas Imamit, e vetmja rrugë e ndershme dhe e drejtë është dorëheqja e Bashës dhe kjo sipas tij i shërben edhe partisë.

Gazetarja: Çfarë do të bëni për ta larguar?

Arben Imami: Jo gjithçka, më shumë se gjithçka. Po i them këtu Lulzim Bashës, do të jetë vrima e miut 500 groshë nëse mendon se në koalicion me PS-në, me zgjatje jo u vodhën votat, jo do hyjnë në parlament, jo nuk do hyjmë në parlament etj., do t’i futet një fushate. E vetmja rrugë e ndershme, e drejtë, e moralshme është dorëheqja që i shërben partisë. Përndryshe do të ketë ndeshje dhe do të ketë ndeshje serioze deri në fund.

Gazetarja: Çfarë ndeshje?

Arben Imami: Politike, nuk është ndeshje demash zonjushë.

Arben Imami tha se Basha ka humbur dy palë zgjedhje. Sipas tij, respekti ndaj atyre që japin dorëheqjen në mënyrë civile rritet dhe për këtë mori shembull Fatos Nanon e Sali Berishën.

“Ne po i thërrasim arsyes. Arsyeja thotë që ke humbur dy palë zgjedhje. Edhe lokalet. Është e arsyeshme, është e mirë për partinë, për vendin. Janë qëndrime morale, etike që mbahen nga çdo njeri që ka lindur në Europë 200 vjetët e fundit. Pra e vetmja rrugë e ndershme e shëndetshme për partinë pas dy palë zgjedhjeve të humbura dhe perëndimore është largimi dhe respekti për atë që bën një akt të fundit të tillë. E mbani mend sa u rrit respekti për Fatos Nanon sa u rrit në momentin që dha në mënyrë civile dorëheqjen. Mbani mend si e bëri këtë gjë edhe Sali Berisha. Këtë po kërkojmë. Pas ezaurimit të kësaj faze do të bëhet deri në fund lufta”, tha Imami.

Të Fundit