Ikona e muzikës, Dua Lipa ka mbajtur një fjalim në ceremoninë e ndarjes së çmimit Booker. Gjatë fjalës së saj, Dua Lipa nuk la pa përmendur shkrimtarin Ismail Kadare, përmes të cilit tha se mësoi për shpirtin rezistues të shqiptarëve që e mban akoma Kosovën duke luftuar për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së saj.
“Leximi i librave si ‘Kështjella’ i Ismail Kadaresë testoi aftësitë e mia gjuhësore dhe më ndihmoi të lidhesha me prejardhjen e familjes dhe identitetin si shqiptare e Kosovës. Përmes Kadaresë, mësova për frymën e rezistencës shqiptare, po atë vendosmëri kokëfortë që i mban shqiptarët e Kosovës të luftojnë për njohjen ndërkombëtare për pavarësinë tonë sot”, tha Dua Lipa.
Këngëtarja Dua Lipa tha se është një kënaqësi që mban fjalim në këtë event për të folur për të lexuarit.
“Është një nder i madh të jesh në mesin e disa prej mendjeve letrare më të mëdha të botës për të folur për kënaqësinë e thjeshtë të leximit të një libri. Leximi është një pasion që ka marrë shumë forma për mua. Ashtu si shumë fëmijë të tjerë të shkollës në Londër, ndër autorët e mi të preferuar ishin Roald Dahl dhe Malorie Blackman”, shtoi Dua Lipa.
Çmimin Booker e fitoi Shtatë Hënat e Mali Almeida nga Shehan Karunatilaka, një satirë e mbinatyrshme e vendosur në mes të luftës civile vrastare të Sri Lankës.