Rënia e sistemit TIMS, reagon policia: Nuk na sulmuan hakerat, ja çfarë ndodhi…

Policia e Shtetit thotë se ndaj sistemit TIMS nuk ka pasur sërish sulm kibernetik gjatë mbrëmjes së të hënës.

Në një deklaratë për mediat, policia sqaron se në disa pika kufitare ka pasur një ndërprerje të shërbimit në interval të shkurtër kohor, në kuadrin e përmirësimit dhe rritjes së performancës së sistemit TIMS.

Sqarim i Policisë së Shtetit:

Në lidhje me disa lajme të publikuara mbrëmjen e djeshme, në disa media dhe portale, në të cilat është pretenduar se ka ndodhur përsëri sulm kibernetik ndaj sistemit TIMS, sqarojmë opinionin publik se:

Ndaj sistemit TIMS, mbrëmjen e djeshme, nuk ka ndodhur sulm kibernetik, por në kuadrin e përmirësimit dhe rritjes së performancës së sistemit TIMS, mbrëmjen e djeshme u realizuan disa procese të parashikuara mirëmbajtjeje, të cilat ndërprenë shërbimin në interval të shkurtër kohor, në disa prej pikave kufitare, por pa sjellë pengesa në lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Konfirmojmë se pas ndërhyrjes së shkurtër, mbrëmjen e djeshme, sistemi TIMS vijon të jetë funksional, në të gjitha pikat kufitare.

Sqarojmë se edhe në ditët në vijim, do të ketë ndërprerje me afat të shkurtër kohor, në pika të ndryshme kufitare, për shkak të ndërhyrjeve të brendshme, me qëllim përmirësimin e performancës së sistemit TIMS.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e mediave që para se të publikojnë lajme që kanë impakt tek qytetarët, të kërkojë informacion zyrtar pranë strukturave përkatëse të Policisë së Shtetit.

Të Fundit