“Dorëzohet” Celibashi: Në 531 qendra votimi nuk punon pajisja e identifikimit elektronik

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi tha sot se në 531 qendra votimi nuk punon pajisja e identifikimit elektronik.

“Janë 205 qendra votimit që sipas informacioneve që marrim përmes sistemit, na tregojnë këto të dhëna se pajisja është e konfiguruar por nuk mund të marrin informacion prej tyre. Janë 531 qendra votimit për të cilat nuk kemi informacion. Ose këto qendra votimit PiE nuk funksionon, ose pjesërisht, ose plotësisht. Por këtë të dhënë nuk e kemi. Ndaj urdhëruam që procesi identifikimit të votuesve, të bëhet në mënyrë tradicionale. Në aspektin teknik nuk kishim më shumë kohë. Një pjesë e arsyeve mund të lidhen me mosparaqitjen e operatorëve në qendrat e votimit, apo dhe mungesën e plotë të informacioneve të tyre apo dhe funksionalitetin e pajisjes.”, tha Celibashi.

Ndërkohë deri në orën 09:00 pjesëmarrja sipas KQZ-së ishte 3.75% në rang vendi.

Deri në orën 8:00 pjesëmarrja sipas KQZ ishte 1.29 %.

Në total në këto zgjedhje janë 3,650,550 shtetas shqiptarë me të drejtë vote, sipas listës përfundimtare të zgjedhësve, të gjeneruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme.

122 545 zgjedhës votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 14 majit, ndërsa 1,111 shtetas nuk janë përfshirë në lista për shkak të dekriminalizimit.

Për verifikimin e emrit në listën e zgjedhësve qytetarët mund të kontrollojnë online në faqet zyrtare të Ministrisë së Brendshme apo KQZ-së, si dhe në platformën e-Albania.

Qytetarët mund të votojnë me pasaporta biometrike ose karta identiteti, ndërkohë që vlefshmëria e kartave të identitetit, të cilat skadojnë deri më 14 maj është zgjatur deri në 31 maj. Zgjatja e vlefshmërisë vlen vetëm për dokumentin e identifikimit ID dhe jo për pasaportat biometrike.

Të Fundit