“Do rikthehen reshjet” Balluku: Fasha 800 KW nuk aplikohet as në nëntor

Fasha 800 kWh nuk do të aplikohet as përgjatë muajit nëntor. Në këtë vendim, sipas zv.kryeministres Belinda Balluku ka ndikuar rënia e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar si dhe moti me reshje që parashikohet në ditët në vijim.

Balluku tha sot se ky vendim vjen edhe si pasojë e reflektimit të qytetarëve sa i përket kursimit të energjisë elektrike.

Të gjithë shifrat tregojnë se gjatë muajit tetor, në krahasim me 1 vit më parë janë 7% më pak. Sipas të dhënave, pritet të ketë evente meteorologjike në zonën e interesit, pra në Kaskadën e Drinit dhe prurje nga Maqedonia e Veriut pas datës 12 nëntor.

Balluku tha më tej se targeti i vendosur për institucionet shtetërore lidhur me reduktimin e konsumit është 15% në terma vjetorë, ndërsa pas datës 12 nëntor do të bëhet publike se cilat e kanë kapur këtë target.

Për t’u përballur me krizën energjetike, qeveria ka vendosur që të mbështesë 2 mijë familje të tjera për implementimin e paneleve diellore.

Duke pasur parasysh ecurinë me aplikimet, qeveria angazhohet që të rrisë fondet përmes granteve të huaja apo buxhetit të shtetit duke e shtuar numrin nga 2 mijë në 4 mijë familje deri në 31 dhjetor 2022.

Të Fundit