Covid-19 thellon pabarazitë, të pasurit bëhen edhe më të pasur, të varfërit më shumë në skamje

1.000 njerëzit më të pasur në planet rikuperuan humbjet e tyre nga COVID-19 vetëm brenda nëntë muajve, por mund të duhet më shumë se një dekadë që më të varfërit në botë të rikuperohen nga ndikimet ekonomike të pandemisë, është ky përfundimi i bërë me dije në raportin e ri të Oxfam, titulluar “Virusi i pabarazisë”.

Rritja e pabarazisë do të thotë se mund të duhen të paktën 14 herë më shumë që numri i njerëzve që jetojnë në varfëri të kthehen në nivelet para-pandemisë.

Raporti i Oxfam tregon se si sistemi i manipuluar ekonomik po i mundëson një elite super të pasur të grumbullojë pasuri në mes të recesionit më negativ që nga ‘Depresioni i Madh’, ndërsa miliarda njerëz po përpiqen të sigurojnë jetesën.

Raporti thekson se pandemia po thellon ndarjet e thella ekonomike, racore dhe gjinore duke theksuar edhe më shumë hendekun midis njerëzve të pasur dhe qindra milionë njerëzve që jetojnë në varfëri ekstreme.

Pandemia e koronavirusit ka përforcuar pabarazitë e frikshme të të ardhurave dhe ndikimin e tyre pasues në akses për arsim, kujdesi shëndetësor dhe të gjitha shpresat për një jetë më të mirë .

Gratë, njerëzit me ngjyrë dhe komunitetet e margjinalizuara janë ndër më të prekurit nga pandemia.

“Në të gjithë botën, pasuria e miliarderëve u rrit me një nivel tronditës prej 3.9 trilionë dollarë midis 18 Marsit dhe 31 Dhjetorit 2020. 10 miliarderët më të pasur në botë kanë parë që pasurinë e tyre të rritet me 540 miliardë dollarë gjatë kësaj periudhe,” nënvizon raporti.

“Në të njëjtën kohë, pandemia u shoqërua më një situatë ku qindra miliona njerëz humbën punën dhe u përballën me skamjen dhe urinë, vlerësohet se numri i përgjithshëm i njerëzve që jetojnë në varfëri mund të jetë rritur me midis 200 milion dhe 500 milion”, thuhet më tej.

Sipas raportit, rritja e pasurisë, pikërisht që kur filloi kriza e 10 miliarderëve më të pasur në botë është “më se e mjaftueshme për të parandaluar këdo në tokë të bjerë në varfëri për shkak të virusit dhe për të paguar për një vaksinë anti-covid për të gjithë”.

Drejtoresha e Oxfam, Gabriela Bucher bën thirrje se pabarazia ekstreme nuk është e paevitueshme, por është zgjedhje politike, sipas saj qeveritë në të gjithë botën duhet të marrin parasysh mundësitë për të ndërtuar ekonomi më të barabarta, gjithëpërfshirëse çka mund t’i japë fund varfërisë dhe mbrojnë planetin.

Të Fundit