COVID-19 në Europë, rritet numri i të infektuarve, vendosen masa të reja kufizuese.

Situata e pandemisë COVID-19 ka sjellë kufizime më të ashpra në kontinentin europian.

Brukseli do të mbyllë të gjitha lokalet për një muaj, ndërkohë që restorantet apo dyqanet do ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre deri në 11 të darkës. Ky urdhër ka nënvizuar se vendi po i nënshtrohet një periudhe që rrezikon të bëhet më intensive për qytetarët. Gjithashtu qeveria e Brukselit ka komunikuar se nuk lejohen takimet e më shumë se tre personave.

Gjithashtu edhe Skocia, pas arritjes së numrit më të lartë të të infektuarve me COVID-19, ka urdhëruar kufizime për sa i përket bareve dhe restoranteve. Këto masa do të jenë në fuqi për të paktën dy javët e ardhshme.

“Pubet, lokalet, restorantet dhe kafenetë do të jenë në gjendje të veprojnë në ambiente të mbyllura vetëm duke ndjekur orare të kufizuara: Gjatë ditës nga 6 e mëngjesit deri në 6 të pasdites, vetëm për konsumin e ushqimeve dhe pijeve jo-alkoolike. Ndërsa restorantet e hoteleve do të jenë në gjendje të veprojnë pas orës 6 pasdite, por vetëm për banorët dhe pa konsum të pijeve alkoolike” lajmëroi Nicola Sturgeon, kryeministrja e Skocisë.

Italia, nga ana tjetër, po përballet me një shtim të rasteve të reja me COVID-19, gjë që e ka detyruar vendin të shtrëngojë akoma më shumë masat. Në këtë mënyrë Italia ka urdhëruar vendosjen e detyrueshme të maskave si jashtë edhe brenda ambienteve.

Ndërkohë vendi me situatën më kritike të regjistruar javën e fundit është Republika Çeke. Kjo e ka detyruar këtë vend që të aplikojë masa për parandalimin e pandemisë. Ato përfshijnë kufizimin e grumbullimeve dhe mbylljen e disa shkollave.

 

Të Fundit