COVID-19 dhe masat kufizuese, dita e dytë pa asnjë pacient të ri të shtruar në Spitalin Infektiv

Në Spitalin Infektiv ku u pritën pacientët e parë të prekur me COVID-19 në mars të vitit të kaluar, pas 14 muajsh është shënuar dita e dytë pa asnjë pacient të shtruar përgjatë 24 orëve.

Kjo rënie e numrit të të shtruarve pasqyrohet edhe jashtë dyerve të spitaleve, aty ku ka edhe më pak qytetarë që presin një lajm të mirë për familjarët e tyre.

Në spitalet COVID aktualisht ka rreth 110 të shtruar. Mjeku Tritan Kalo bën thirrje vazhdimisht për kujdes përmes postimeve në rrjetet sociale, pasi ende sipas tij nuk është momenti për të brohoritur fitore.

“Miq, kolegë e bashkëkombës, nuk është ende momenti për të hapur shishet e shampanjave e për të brohoritur fitore. Kemi ende udhë për të bërë në tunelin e pandemisë, por dalja prej tij po afrohet shpejt dhe kjo gjë na bën optimistë e me flatra. Ju duam, ju respektojmë dhe për asnjë dekikë nuk do ju mungojë puna, përkushtimi, përkujdesja e profesionalizmi ynë në betejën tuaj për t’u përballur me armikun e padukshëm. Syhapur e mendjekthjellët deri në rastin e fundit të infektimit nga Sars-Cov2/Covid-19”, shkruan mjeku Kalo në rrjetet sociale.

Megjithatë, rënia e të infektuarve, vaksinimi si dhe dalja e Shqipërisë nga zona e kuqe e rrezikut duket se e ka ulur vigjilencën e qytetarëve ndaj masave kufizuese.

Në rrugët e qytetit vihet re se qytetarët lëvizin lirshëm pa maskën e vendosur, ndonëse mbetet një detyrim.

Problemi i kahershëm, ai i autobusëve të tejmbushur me qytetarët pa maskë mbeten ende panorama e këtyre ditëve.

Të Fundit