Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur një ditë pas protestës së zhvilluar në bulevardin e Tiranës të cilën ai e cilëson si një akt të fortë qëndrese ndaj qeverisë
Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se pjesëmarrësit në protestë treguan se opozita mbetet e pamposhtur. Sipas Berishës, protesta shërbeu si një mesazh për shqiptarët që kërkojnë integrimin e vendit në Bashkimin Europian me dinjitet dhe pa frikë.
“Me këtë protestë, me këtë kryengritje, me këto sakrifica, ju u provoni shqiptarëve se qëndroni të pamposhtur para një të keqe që po e gërryen këtë komb sa asnjë pushtim tjetër në tërë historinë e tij. Para një regjimi që përfaqëson narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.
Prania juaj dje në bulevardin e Tiranës ishte prozhektori i madh i shpresës për të gjithë shqiptarët që ende nuk guxojnë të dalin nga emocionet e frikës. Për të gjithë shqiptarët që duan që Shqipëria të integrohet me dinjitet në BE.
Pra, ju keni qenë dje në bulevardin e madh të Tiranës ambasadorët më të shkëlqyer, përfaqësuesit më dinjitozë, elita e vërtetë e kombit, e ndërgjegjes së tij para çdo shqiptari dhe para partnerëve, miqve të Shqipërisë në mbarë botën”, tha kreu i PD.
Berisha falënderoi mbështetësit për pjesëmarrjen , duke theksuar se opozita do të vijojë betejën e saj politike.
“Shqiptarët u janë përjetë mirënjohës për këtë sakrificë që ne do ta vazhdojmë gjer në largimin përfundimtar të kësaj të keqe të madhe. Por ne qëndrojmë dhe do të qëndrojmë të pamposhtur”.



