BE do të shqyrtojë nëse rrezet e Diellit mund të bllokohen

Bashkimi Europian po i bashkohet një skeme ndërkombëtare për të hetuar nëse ndërhyrjet e mëdha në proceset natyrore të Tokës, duke përfshirë devijimin e disa rrezeve të Diellit, mund të ndihmojnë në zbutjen e ndryshimeve klimatike, raportoi të hënën Bloomberg.

Agjencia citoi një projekt-dokument i cili mund të bëhet publik këtë javë dhe që synon të vlerësojë pasojat e ngrohjes globale në mungesën e ujit dhe ushqimit, dhe rreziqet që ato të shkaktojnë konflikte të reja ose valë të migrimit masiv.

Projekte të tilla mund të variojnë nga reflektimi i një përqindje të caktuar të dritës së diellit përsëri në hapësirë deri te ndryshimi i modeleve të motit.

BE-ja po kërkon diskutime ndërkombëtare mbi skemat dhe potencialin për të vendosur rregulla për këtë fushë.

“BE do të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare për të vlerësuar në mënyrë gjithëpërfshirëse rreziqet dhe pasiguritë e ndërhyrjeve klimatike, duke përfshirë modifikimin e rrezatimit diellor”, thotë dokumenti, i cili është ende subjekt i ndryshimeve.

Dokumenti pranon se teknologji të tilla paraqesin rreziqe të reja për njerëzit dhe ekosistemet, ndërkohë që ato mund të rrisin gjithashtu çekuilibrat e fuqisë midis kombeve, të ndezin konflikte dhe të ngrenë një mori çështjesh etike, ligjore, qeverisjeje dhe politike.

Planet gjeo-inxhinierike po merren më seriozisht mes pritshmërive se vendet do të dështojnë në qëllimin e tyre për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5C (2.7F), vuri në dukje Bloomberg, duke shtuar se Bashkimi Europian mund të përqafojë opsione më radikale, të tilla si spërkatja e aerosolëve stratosferikë për të reduktuar sasinë e dritës së diellit që arrin në tokë.

Bloomberg gjithashtu vuri në dukje se kritikët e gjeo-inxhinierisë kanë paralajmëruar se metoda të tilla mund të përfshijnë efekte anësore të paparashikuara siç janë ndryshimet në modelet e shiut.

Të Fundit