Arkeologët zbulojnë pikturën e ‘picës’ në Pompei

Afresku u gjet në murin e një shtëpie pranë një furre buke

Arkeologët në qytetin e lashtë të Pompeit kanë zbuluar këtë afresk në murin e një shtëpie që përshkruan atë që mund të jetë pararendësja e picës italiane. Ata thonë se buka e sheshtë e paraqitur në pikturë, pranë një gote vere, mund të jetë konsumuar me fruta, si për shembull shegë ose hurma.

Sipas një deklarate të Ministrisë Italiane të Kulturës, teknikisht kjo pjatë nuk mund të konsiderohet një picë, pasi i mungojnë përbërësit klasikë si domatja dhe mocarela.

Afresku, i cili daton 2000 vjet më parë, u zbulua gjatë gërmimeve në parkut arkeologjik të Pompeit, i cili është afër Napolit, vendlindjes së picës.

Afresku është gjetur në këtë mur që besohet të ketë qenë korridori i një shtëpie që kishte një furrë buke në aneksin e saj. Pranë kësaj zone janë zbuluar gjithashtu edhe 3 skelete njerëzish.

Pompei u shkatërrua prej shpërthimeve të vullkanit Vezuvit në vitin 79 pas Krishtit.

Qyteti historik i mbuluar nga hiri, balta dhe llava u rizbulua në shekullin e 16-të. Që atëherë dalin në dritë vazhdimisht gjetje të reja. Parku arkeologjik i Pompeit është gjithashtu një nga atraksionet më të njohura në Itali.

Të Fundit