Basha:Pas 25 prillit ka rënë perde e hekurt mbi Shqipërinë

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka qenë ditën e sotme në Lushnjë, Patosë dhe Divjakë teksa ka realizuar një takim me demokratët e atjeshëm në kuadër të zgjedhjeve për kreun e PD.

Në fjalën e tij Basha ka përsëritur sërish se zgjedhjet e 25 prillit janë vjedhur, teksa e konsideron luftë për të rikthyer zgjedhjet në vend.

Sipas tij, PD doli në këto zgjedhje me program dhe vizion.

“Dolëm në këtë betejë me program, me vizion, me ofertë, përkundër një kundërshtari i cili përdori gjithçka në arsenalin e shtetit të bërë njësh me partinë duke përfshirë këtu edhe influencën e krimit të organizuar dhe paratë e derdhura lum nga ai dhe oligarkët.

Vëllezër dhe motra ishte ky bashkim i madh zemrash në radhë të parë i demokratëve dhe pastaj fronti më i gjerë opozitar që është krijuar ndonjëherë në 30 vite arsyeja që e shtyu edhe kundërshtarin politik të kryente vjedhjen më të madhe në 30 vite, masakrën më të rëndë zgjedhore në 30 vite.

Tani pas kësaj masakre ka rënë një perde e hekurt momentalisht mbi Shqipërinë. Nga ato perde që e rendisin vendin tonë përsëri në një shtet që nuk ka lidhje me demokracinë. “- tha Basha.

Ndër të tjera Basha është shprehur se tashmë e vetmja gjë që e dërgon atë para qytetarëve është vetëm çmontimi i regjimit Rama-Doshi.

“Ndaj, sa më takon mua arsyeja, motivi dhe objektivi që më sjell para jush për t’ju kërkuar besimin tuaj është një dhe vetëm një: të përdorim çdo mjet, të angazhohemi në çdo formë, në çdo forum të brendshëm dhe të jashtëm, të marrim mbi supe çdo përgjegjësi që në kohën më të shkurtër të mundshme të çmontojmë regjimin Rama-Doshi me kompani, se emrat e tyre nuk mbarojnë po t’i marrim me radhë dhe ta çojmë vendin sa më parë drejt zgjedhjeve që do të sjellin zgjidhje.

Motra dhe vëllezër siç shumica prej jush e dinë dhe siç të rinjtë e kanë dëgjuar prej baballarëve dhe nënave të tyre, 30 vite më parë Shqipëria u ngrit nga hiri i një diktature të pakrahasueshme me asnjë regjim tjetër në Europë dhe po ashtu si 30 vite më parë ne hymë në një betejë të pabarabartë, pa asnjë pushtet por vetëm me pushtetin moral dhe me besimin tek vlerat themelore të njerëzve të lirë dhe të ndershëm. Nuk e di nëse kjo është një lojë e fatit apo tekë e historisë, apo një mundësi për të rindezur edhe njëherë zemrat e drobitura të demokracisë.

Megjithatë ne kemi një detyrë dhe këtë detyrë nuk mund ta shmangim, as të bëjmë sikur nuk e shohim sepse jemi ne trashëgimtarët e betejës që hodhi komunizmin, jemi ne trashëgimtarët e lëvizjes së Dhjetorit që solli pluralizmin, jemi ne që e nisëm dhe demokracia filloi me ne dhe këtë moment jemi ne shpresa e vetme e shqiptarëve për demokraci, për zgjedhje të vërteta dhe për të çliruar vendin nga ky regjim. “- tha Basha

Të Fundit