Vrasja tragjike e 8 vjeçarit në Fier është këmbanë alarmi për të gjitha strukturat e shtetit shqiptar, thotë kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
“Duhet një vëmendje e shtuar ndaj çdo rasti, një strategji e re përballjeje përtej propagandës, që ngjarje të tilla të parandalohen pa qenë vonë”, thotë Basha në postimit e tij.
Ai tha se të gjithë mekanizmat e shtetit si policia, drejtësia, shëndetësia e kujdesi social duhet të punojnë që raste të tilla të mos përsëriten.
“Jam thellësisht i tronditur për ngjarjen e tmerrshme kriminale që i mori jetën një 8 vjeçari në Fier. Si prind, ndaj sot dhimbjen me prindërit dhe familjarët e Mateos dhe lus Zotin t’ua lehtësojë dhimbjen”, tha Basha.
Mbrëmë në Fier një fëmijë 8 vjeç i cili qe raportuar i humbur u gjet i vrarë në banesën e komshiut.
Trupi u gjet i mbuluar me baltë, në ambientet e banesës së Klodian Çalamëni, 38 vjeç. Ky i fundit u arrestua nga Policia.
Autori i ngjarjes ka shfaqur shenja dhune edhe në të shkuarën, kryesisht kundrejt fëmijëve.