Arrestohet çifti i farmacistëve, iu gjetën në banesë medikamente kontrabandë me vlerë 70 mijë €

Policia e Vlorës ka goditur një rast të kontrabandës me medikamente mjekësore të llojeve të ndryshme.

Në kuadër të operacionit policor koduar “Storage”, në lagjen nr. 1, Sarandë, efektivët e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në farmacinë e shtetasve K. A. dhe A. A. bashkëshortë, gjetën një sasi medikamentesh të llojeve të ndryshme, të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës, të cilat ishin futur kontrabandë.

Operacioni ka vijuar me kontrollin e banesës së çiftit, ku janë konstatuar dy dhoma në të cilat ishin magazinuar 1287 lloje medikamentesh mjekësore me vlerë rreth 70 mijë euro.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i K. A. dhe A. A, ndërsa medikamentet mjekësore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

“Materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja dhe depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”, të kryera në bashkëpunim.

Në lidhje me këtë rast, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po zhvillon hetime të thelluara për të zbardhur, dokumentuar me prova ligjore dhe për të vënë përara përgjegjësisë penale persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.”-njofton policia.

Të Fundit