Akuza për korrupsion e nxjerrje sekreti hetimor/ GJKKO lë në fuqi pezullimin e zv.drejtorit të OFL-së!

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka lënë në fuqi vendimin për pezullimin nga detyra të drejtuesit të OFL-së, Artan Shkëmbi.

Ai akuzohet për korrupsion dhe dekonspirim të një operacioni, ku marrin pjesë edhe autoritetet gjermane.

Ndryshe nga se ishte parashikuar zhvillimi i seancës, Gjykata e ka shtyrë atë për ditën e sotme, duke i vënë palës së akuzuar në dispozicion materialin e Prokurorisë.

Seanca e djeshme ka zgjatur vetëm disa minuta, pasi Shkëmbi, nëpërmjet avokatit të tij Artan Broci, i kërkoi Gjykatës që t’i lihej kohë e mjaftueshme për t’u njohur me dosjen. Kjo kërkesë e bërë nga numri dy i OFL-së është pranuar nga Gjykata, e cila vendosi ta zhvillojë seancën për komunikimin e masës së pezullimit nga detyra ditën e sotme, në orën 09:00. “Klienti im do të flasë pasi të njihemi me aktet. Nuk dimë asgjë sot, Gjykata na pranoi kërkesën të njihemi me aktet dhe shtyu seancën. Unë nuk kam parë asgjë, sot kërkova mbrojtjen.

Do njihemi me aktet dhe do bëjmë mbrojtjen”, tha avokati Broci ditën e djeshme. Zv.drejtori i OFL-së është pezulluar nga detyra, pasi akuzohet se dekonspiroi operacionet e OFL-së dhe për korrupsion. Autoritetet gjermane informuan SPAK-un se një oficer i lartë i Policisë Shqiptare kishte nxjerrë sekretin. Për këtë arsye, SPAK-u i kërkoi Gjykatës së Posaçme pezullimin e zëvendësdrejtorit të Operacionit Forca e Ligjit, Artan Shkëmbi.

Vendimi i është komunikuar Shkëmbit nga ana e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Akuza e ngritur nga SPAKu është “Shpërdorim detyre” dhe “Nxjerrje sekreti”, ndërsa hetimi po vijon dhe masa e marrë është paraprake, për t’i hequr oficerit të Policisë çdo kontakt me informacionet sensitive.

 

ARTAN SHKEMBI

Artan Shkëmbi, i cili mbante edhe detyrën e numrit 2 të Operacionit Forca e Ligjit, dyshohet se ka dekonspiruar një informacion të kërkuar nga një agjenci ligjzbatuese e huaj për një hetim pasuror, që po kryhej në ngarkim të një shtetasi me precedentë penalë.

Shkëmbi në të kaluarën ka mbajtur edhe detyrën e kreut të TaskForcës së krijuar kundër krimit, në kohën kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Fatmir Xhafaj. Në vendimin e zbardhur të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, që konfirmon në detyrë Artan Shkëmbin, në konkluzionet për “Kontrollin e Figurës” theksohet se: Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, me shkresën nr. * prot, datë 10.07.2019, konfirmon se shtetasi Artan Pajo Shkëmbi është i pajisur me certifikatë sigurie CSP, niveli “Tepër Sekret”, me vlefshmëri nga 25.09.2018 deri 24.09.2023; Institucioni ligjzbatues me shkresën nr. ** prot, datë 5.8.2019, e klasifikuar sekret, informon Komisionin se pas verifikimeve të kryera për Artan Pajo Shkëmbin dhe lidhjes së tij familjare të përmendura në shkresë nuk disponon të dhëna; Drejtoria e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me shkresën nr.** prot, datë 11.7.2019, niveli i klasifikimit “Sekret”, informon Komisionin se pas verifikimeve të kryera rezulton se për shtetasin Artan Shkëmbi dhe personat sipas lidhjes familjare nuk janë të regjistruar për veprimtari kriminale.

 

Të Fundit