A shkakton AstraZeneca trombozë? Analiza e “DW”: E vërteta e trombozave dhe kush rrezikon më shumë – Stop
Lajme, Të Gjitha

A shkakton AstraZeneca trombozë? Analiza e “DW”: E vërteta e trombozave dhe kush rrezikon më shumë

Trombozat e venave të sinusit bënë që në shumë vende të ndalohej vaksina Astrazeneca. Por çfarë lloje trombozash janë ato?

Për arsye sigurie një sërë vendesh kanë ndaluar përkohësisht vaksininimin me AstraZeneca, sepse brenda një kohe të shkurtër ka pasur mjaft raste të një tromboze të një lloji të rrallë që kanë ndodhur pas një kohe të shkurtër pas vaksinimit. Madje në disa raste të prekurit humbën edhe jetën.

Bllokim në tru

Nga 1,6 milionë vaksinat e shpërndara të Astrazeneca-s, janë shfaqur deri tani tetë raste të ashtuquajtura të trombozës së venave sinusite. Njëkohësisht tek personat e prekur është vërejtur mangësi në rruazat e gjakut, gjë që mund të ndikojë në dendësinë e gjakut.

 

Gjatë trombozës së venave sinuse, një pikëz gjaku bllokon venën që shkon në tru, me të cilën nornalisht gjaku me pak oksigjen shkon në zemër. Nëse ky gjak nuk është në gjendje të qarkullojë si duhet, atëherë rritet presioni në tru duke shkaktuar hemoragji të tjera. Në rastin më të keq, tromboza e venave sinuse shkakton e infarkt vdekjeprurës.

 

Megjithatë kjo lloj tromboze ka qenë deri tani e rrallë, po të shohësh ndikimin që ka pasur: Mendohet se tek një milionë njerëz në vit, dy deri tre persona vdesin nga tromboza e venave të sinusit. Por studimet e reja tregojnë se kjo shifër është rritur. Në një studim australian bëhet fjalë për 15,7 raste në një milionë vetë, thotë Paul Hunter, profesor mjekësie në Universitetin East Anglia. “Kjo do të thotë se shifra aktuale është katër deri tetëfishuar.”

A janë trombozat të gjitha njësoj?

Kur ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn njoftoi ndalimin e përkohshëm të vaksinës, u diskutua shumë, sidomos në mediat sociale pati “Shitstorm”: Pse në rastin e medikamenteve për kontrollin e shtatzanisë, gjatë të cilave ka pasur 1100 tromboza për 1 milionë gra vazhdon të përdoret medikamenti, kurse në rastin e vaksinave me 8 raste tromboze në 1,6 milionë vaksina hidhet në plehëra e gjithë strategjia e vaksinimit? Ndërkohë pas rekomandimit të Agjencisë Europiane të Barnave, EMA për vazhdimin e vaksinimit me AstraZeneca, Gjermania vazhdon vaksinimin (e akt.).

Eksperti për Shëndetin në partinë Socialdemokrate, Karl Lauterbach e ka kritikuar këtë krahasim në një intervistë dhënë në Deutschlandfunk. Sipas tij, trombozat e venave sinuse nuk mund të krahasohen me trombozat që shkaktojnë medikamentet për kontrollin e shtatzanisë.

Kur flitet për tromboza në rastin e medikamenteve anti-baby kemi të bëjmë me tromboza të venave të këmbëve. Gjaku i mpiksur që bllokon venat e këmbëve, mund të përfundojë në mushkëri ku shkakton emboli.

Por, marrja e medikamenteve anti- baby favorizon po ashtu krijimin e trombozave të rrezikshme të venave të sinusit. „Gratë janë më shpesh të prekura se burrat dhe me siguri që hormonet luajnë një rol të caktuar. Tek shtatzanitë e vonshme, gjatë qëndrimit në shtrat dhe tek gratë që marrin kokrrat anti-baby shihet më shpesh tromboza e venave sinuse,” thotë Peter Berlit, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqërisë gjermane të neurologjisë. Pavarësisht nga gjinia, të rinjtë në moshë preken më shpesh se të moshuarit.

Strategjia me zona e vaksinës: Cili është vendimi i duhur?

Supozimet se si gjatë COVID-19 ashtu edhe gjatë vaksinës shkaktohen tromboza, Berliti i vlerëson si spekulative: “Kjo e gjitha është hipotetike. Nuk ka dëshmi për një gjë të tillë. Shpeshtimi i trombozave ka ndodhur vetëm në Gjermani dhe jo për shembull në Angli.”Peter Berlit thotë se rreziku i komplikacioneve serioze neurologjike të shkaktuara nga infeksioni i COVID-19 është më i madh se sa rreziku nga vaksina. Për këtë flasin të gjitha të dhënat.”

Britanikët nuk janë ndikuar nga zhvillimet aktuale, atje vazhdon vaksinimi. Në 11 milionë dozat e shpërndara të vaksinës ka pasur tre persona me tromboza sinusi. Kurse Enti europian për medikamentet, EMA është ende duke hetuar me kujdes rastet e njoftuara, por nuk shikon arsye për të ndaluar vaksinën AstraZeneca. ” Gjatë kohës që po bëhen studimet ne i qëndrojmë vlerësimit se përfitimet që vijnë prej vaksinës AstraZeneca për të luftuar COVID-19 dhe rreziqet e lidhura me të janë më të mëdha se sa efektet anësore,” u tha në një deklaratë për shtyp./DW

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *