Një konflikt mes fqinjëve në Gjirokastër ka vënë në lëvizje Policinë Bashkiake, pas denoncimit të Vasillaq Çakallit, i cili kërkonte prishjen e portës metalike të garazhit të Llambi Kotros. Ky i fundit pretendon, se prona, një banesë me oborr dhe baçe, që daton prej vitit 1718, është trashëgimi familjare dhe disponon dokumentacion hipotekor, që prej vitit 1996.Megjithatë, për shkak të problemeve në Kadastër, prona nuk është pajisur ende me certifikatë pronësie dhe baçja figuron si tokë shtetërore. Policia Bashkiake i kishte kërkuar disa herë verbalisht prishjen e portës, pa i vënë fillimisht në dispozicion dokumentacion zyrtar. Pas ndërhyrjes së “Stop”, Policia Bashkiake u tërhoq nga kërkesa për prishje, duke sqaruar, se pretendimet mes fqinjëve duhet të zgjidhen në gjykatë. Ndërkohë, çështja e pronësisë së trashëguar mbetet ende pezull në Kadastër.
Sot në seancën parlamentare u diskutua buxheti i shtetit dhe paketa fiskale për vitin 2027. Kryeministri Rama foli gjatë para deputetëve, fjalë, që u braktis nga demokratët dhe u duartrokit disa herë nga socialistët.
Ismail Kalemasi, nga fshati Saver i Lushnjës, ka një djalë me prapambetje mendore dhe epilepsi. Ai është informuar nga punonjësi i Postës në Karbunarë, se i takojnë pagesa të prapambetura për periudhën 2005-2012, por për t’i përfituar duhet t’i drejtohet gjykatës. Madje, i është sugjeruar edhe një avokate, e cila i ka shpjeguar, se duhet të paguajë ekspertin ekonomik rreth 600 mijë lekë të vjetra, pa pasur ende një përllogaritje të saktë të shumës, që do të përfitojë.Sipas avokates Majlinda Meduli, bëhet fjalë për diferenca të krijuara nga mosindeksimi i pagesave të personave me aftësi të kufizuara gjatë viteve 2005-2010. Ajo pretendon, se këto shuma nuk jepen vullnetarisht nga bashkitë dhe përfituesit janë detyruar t’i kërkojnë përmes gjykatës. Sipas përvojës së saj, shuma, që mund të përfitohet, shkon afërsisht nga 900 mijë deri në 1 milion lekë të vjetra. Kështu, qytetarët përballen me dilemën, që duhet të paguajnë shpenzimet e gjyqit për të marrë diferencat, që u takojnë.




