Ministri Karakaçi: Avancojnë punimet për bypass-in e Elbasanit, 3-5 kompani të interesuara për operatorin e hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë këtë të mërkurë, dha detaje mbi ecurinë e dy projekteve, bypass-in e Elbasanit dhe hekurudhën Tiranë-Durrës-Rinas.

Lidhur me bypass-in e Elbasanit, Karakaçi bëri me dije se tashmë janë lidhur kontratat për tre fazat e para dhe punimet kanë avancuar, ku në dy prej tyre nuk ka qenë e nevojshme të kryhen shpronësime.

Ndërkaq, për hekurudhën Tiranë-Durrës-Rinas, ministri konfirmoi se punimet për stacionet dhe elektrifikimin po ecin mirë, ndërsa nga tre deri në pesë kompani ndërkombëtare kanë shfaqur interes për menaxhimin e linjës.

“Përsa i përket bypass-it të Elbasanit, e kam njoftuar që kemi lidhur kontratën për tre fazat e para. Ka filluar avancimi në punë. Në dy fazat nuk kemi nevojë për shpronësime, presim për vijimin e ritmit të punimeve.

Përsa i përket hekurudhës, ditën e djeshme kishim një takim sa i përket përzgjedhjes së operatorit ndërkombëtar që do të menaxhojë hekurudhën Tiranë-Durrës, me stacion aeroportin e Rinasit. Kontrata e stacioneve dhe elektrifikimi po ecin shumë mirë.

Janë nga tre në pesë kompani ndërkombëtare të cilat kanë shfaqur interes për operatorin ndërkombëtar”, u shpreh Karakaçi.

Të Fundit