Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilluan sot një takim me drejtuesit vendorë të Policisë së Shtetit dhe të strukturave të Policisë Kufitare, me fokus forcimin e standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve dhe rritjen e besimit të publikut te Policia.
Gjatë takimit, ministri vuri theksin te nevoja që çdo strukturë policore, në çdo nivel, të jetë e orientuar drejt qytetarit dhe të garantojë një shërbim profesional, etik, të shpejtë dhe në përputhje të plotë me ligjin.
“Perceptimi dhe besimi i qytetarëve ndërtohen çdo ditë, mbi bazën e profesionalizmit, etikës dhe mënyrës se si Policia u përgjigjet ankesave, shqetësimeve dhe kërkesave të tyre për informacion”, u shpreh Lamallari.
Ai nënvizoi se etika nuk duhet të shihet si një standard i jashtëzakonshëm, por si minimumi i detyrueshëm në sjelljen dhe komunikimin e çdo punonjësi të Policisë, ndërsa qytetarët meritojnë një shërbim cilësor, të shpejtë dhe konform ligjit.
“Etika është minimumi. Shërbimi cilësor, i shpejtë dhe konform ligjit është ajo çfarë presin dhe meritojnë qytetarët”, theksoi ministri.
Në takim u kërkua nga drejtuesit vendorë që këto standarde të jenë pjesë e pandashme e punës së përditshme të strukturave policore, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të drejtë ndaj çdo shqetësimi, ankese apo kërkese të qytetarëve.
Ministri i Brendshëm kërkoi gjithashtu që drejtuesit të kenë një vëmendje të shtuar ndaj mënyrës së komunikimit me publikun, duke e konsideruar çdo kontakt të qytetarit me Policinë si një mundësi për të forcuar besimin te institucioni.
Forcimi i marrëdhënies Polici–Qytetar, rritja e profesionalizmit dhe respektimi rigoroz i ligjit mbeten elementë thelbësorë për një Polici më të besueshme, më të përgjegjshme dhe më pranë komunitetit.



