Apartamenti i bllokuar pas 30 vitesh! Gruaja në kurth nga një borxh që rezulton i shlyer!

Mesude Kananasi, e cila prej 22 vitesh jeton me familjen në Itali, iu drejtua emisionit “Stop” pasi nuk po arrinte të shiste apartamentin e saj në zonën e Kombinatit, në Tiranë. Shkak ishte një kufizim i regjistruar në Seksionin E të Kadastrës, për një detyrim prej 2.5 milionë lekësh të vjetra, që lidhej me një kredi të marrë nga familja në vitin 1996. Sipas Mesudes, familja nuk kishte dijeni për këtë detyrim dhe pretendonte, se kredia ishte shlyer prej kohësh. Megjithatë, as Fondacioni dhe as Kadastra nuk i kishin dhënë një zgjidhje, duke i kërkuar të siguronte dokumentacionin përkatës, ose të paguante shumën për heqjen e bllokimit.Ne u interesuam pranë Kadastrës së Tiranës, ku u sqarua, se kufizimi lidhej me kontratën e kredisë të vitit 1996, marrë nga Fondi i Zhvillimit Shqiptar. Institucioni bëri me dije se, nëse detyrimi ishte shlyer, duhej paraqitur një vërtetim, që konfirmonte mbylljen e kredisë.Meqenëse kishin kaluar shumë vite dhe institucioni, që administronte kredinë, nuk ekzistonte më, gazetari iu drejtua Agjencisë së Kredive të Pashlyera, ku rezultoi, se familja Kananasi nuk kishte kredi të pashlyera. Me këtë vërtetim, përmes noterit u krye aplikimi pranë Kadastrës dhe kufizimi mbi apartamentin u hoq.

Të Fundit