Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë rreth 3.5 hektarë sipërfaqe pyjore në fshatin Janç Mal, në Njësinë Administrative Tunjë të Gramshit.
Për neutralizimin e flakëve janë angazhuar 8 zjarrfikës dhe 5 punonjës të shërbimit pyjor, ndërsa ndërhyrja po kryhet në kushte të vështira për shkak të terrenit të thepisur dhe mungesës së rrugëve të aksesueshme për mjetet zjarrfikëse.
Për të mbërritur në zonën e prekur, ekipet janë detyruar të përshkojnë rreth një orë në këmbë, duke transportuar në shpinë pajisjet e nevojshme për ndërhyrje.
Në pamundësi të ndërhyrjes me mjete zjarrfikëse, ekipet po përdorin metodën e kundërzjarrit, duke krijuar një zonë të kontrolluar të djegur për të ndërprerë përhapjen e flakëve.
Aktualisht, përparësi mbetet izolimi i plotë i vatrës dhe frenimi i përhapjes së zjarrit drejt sipërfaqeve të tjera pyjore.



