Drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, është shkarkuar nga detyra dhe është kallëzuar në Prokurori pas një kontrolli të zhvilluar në filial, ku u konstatuan parregullsi në administrimin e fondeve.
Burime për media bëjnë me dije se dyshohet për një abuzim financiar me vlerë rreth 700 mijë euro. Deri tani, kjo shumë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Posta Shqiptare apo nga organet e hetimit.
Në një reagim zyrtar, Posta Shqiptare njoftoi se gjatë verifikimeve janë evidentuar parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave. Institucioni thekson se këto fonde nuk kanë lidhje me fondet e pensioneve apo me pagesat e pensionistëve.
Pas konstatimeve, Posta Shqiptare bëri të ditur se ka marrë masa të menjëhershme administrative ndaj punonjësve përgjegjës dhe ka depozituar kallëzim penal në Prokurori, duke vënë në dispozicion të hetuesve dokumentacionin përkatës.
“Posta Shqiptare sh.a. informon opinionin publik se, në kuadër të mekanizmave të saj të kontrollit të brendshëm dhe procedurave të monitorimit financiar, Drejtoria e Përgjithshme, nëpërmjet Drejtorisë Ekonomike, bazuar në mospërputhje të konstatuara gjatë rakordimit të fondeve dhe raportimeve financiare, ka ushtruar një kontroll në Filialin Durrës.
Nga verifikimet e kryera janë evidentuar parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave. Theksojmë se këto fonde nuk kanë asnjë lidhje me fondet e pensioneve apo me pagesat e pensionistëve.
Menjëherë pas konstatimit të këtyre parregullsive, Posta Shqiptare ka marrë masat e menjëhershme administrative ndaj punonjësve përgjegjës, si dhe ka referuar rastin pranë organit të Prokurorisë, duke depozituar kallëzim penal të shoqëruar me dokumentacionin përkatës”, thuhet në një deklaratë të Postës Shqiptare.
Ndërkohë, sipas të njëjtave burime, ka dhënë dorëheqjen edhe drejtuesja e financës së filialit, Valbona Hoti Duni.
Elisabeta Mataj ishte emëruar në krye të filialit të Postës në Durrës në tetor të vitit 2025, pasi paraardhësja e saj, Etleva Budini, fitoi mandatin e deputetes në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.



