E Hënë, 23 Nëntor 2026
Lajm i fundit
Durrësi harron tërmetin, KLSH: Bashkia nuk zbatoi qindra vendime për prishjen e ndërtimeve të paligjshme “Liria e fjalës nuk është pronë e profileve anonime”, Kumbaro reagon pas sulmeve online ndaj të rinjve pjesë e takimit me Kryeministrin Raporti, gjysma e familjeve shqiptare nuk përballojnë një shpenzim të papritur prej 1,000 eurosh pa borxh Rama: S’mendoj se duhet të zgjedh, ose mik me Mickoskin, ose me shqiptarët A është i vërtetë apo i rremë i famshmi Këmbëmadhi? Administrata Trump publikon përgjigjet Xhensila Myrtezaj përfundon në gjyq për evazion fiskal, dyshohet se fshehu mbi 60 milionë lekë të ardhura “Është në lojë jeta ime”, Veliaj: Nuk refuzoj operacionin, por dua të zgjedh vetë mjekun dhe spitalin Spiropali: Nuk pendohem, nuk gjunjëzohem dhe nuk pres mëshirë Trump për sulmin kibernetik ndaj FBI-së: Nuk më pëlqen, por ndoshta do të mësojmë gjëra që nuk i dinim Rama për Ditën e Alfabetit: Nën hijeshinë e këtyre gërmave jeton kujtesa dhe frymon e ardhmja e kombit
Aktualitet

Deklarata e ministres serbe për spastrimin etnik në Kosovë, reagon Hoxha: E papranueshme dhe fyese për viktimat

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar në platformën X ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, e cila u shpreh se nëse do të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta “spastronte etnikisht Kosovën”.

Hoxha e cilësoi këtë deklaratë si të papranueshme, tronditëse dhe një fyerje të rëndë për viktimat e luftës ndërsa theksoi se relativizimi i krimeve kundër njerëzimit dëmton procesin e pajtimit dhe minon përpjekjet për bashkëpunim në rajon. Sipas tij, e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor mund të ndërtohet vetëm mbi të vërtetën, përgjegjësinë dhe respektin për viktimat.

“Deklarata e një anëtari të qeverisë së Serbisë, që shpreh publikisht keqardhje që në Kosovë nuk është kryer një spastrim etnik edhe më i madh, është e papranueshme, tronditëse dhe një fyerje e rëndë për viktimat e luftës.

Relativizimi dhe normalizimi i një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit, krime të dënuara nga historia, nga drejtësia ndërkombëtare dhe nga vetë ndërgjegjja njerëzore, bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Evropa e sotme. Ato minojnë përpjekjet për pajtim dhe bashkëpunim, ushqejnë mosbesimin dhe urrejtjen, si dhe rihapin plagë që ende nuk janë shëruar.

Askush nuk mund të ndërtojë besim duke rikthyer hijet më të errëta të së kaluarës, aq më pak duke lartësuar politika dhe figura që mbajnë përgjegjësi për tragjedi, vuajtje dhe krime që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e rajonit tonë siç është “kasapi i Ballkanit”.

Procesi i normalizimit dhe i pajtimit, për të cilin Kosova, Serbia dhe i gjithë rajoni ynë kanë aq shumë nevojë, kërkon para së gjithash përgjegjësi, reflektim dhe guxim për t’u përballur me të kaluarën.

Ai nuk mund të ndërtohet kurrë mbi deklarata që justifikojnë apo lartësojnë politikat që sollën aq shumë dhimbje e shkatërrim, por vetëm e vetëm mbi të vërtetën, respektin për viktimat dhe angazhimin e sinqertë për një të ardhme të përbashkët evropiane”, shkruan Hoxha.

Denonco te STOP

Keni një shqetësim që duhet ta dijë opinioni publik?

Na kontaktoni me telefon ose WhatsApp. Ekipi i STOP verifikon çdo sinjalizim dhe del në terren.

↑