Ngordhje masive peshqish në Gjinikas të Maliqit, banorët: Fenomeni përsëritet sa herë hapen portat e HEC-it

Një ngordhje masive peshqish është konstatuar në rezervuarin e fshatit Gjinikas, në Bashkinë Maliq, ku qindra peshq të ngordhur kanë mbuluar sipërfaqen e ujit, duke shkaktuar shqetësim te banorët e zonës.

Sipas banorëve, kjo situatë nuk është e re, por përsëritet sa herë hapen portat e hidrocentralit. Ata pretendojnë se ndryshimet e menjëhershme të prurjeve të ujit po ndikojnë negativisht në ekosistemin ujor dhe po shkaktojnë dëme të konsiderueshme në faunën e rezervuarit.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë një numër të madh peshqish të ngordhur në ujë, ndërsa banorët u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë për të verifikuar shkaqet e fenomenit dhe për të parandaluar përsëritjen e tij.

Sipas ekspertëve të mjedisit, ngordhja masive e peshqve mund të lidhet me disa faktorë, si ndryshimet e menjëhershme të prurjeve të ujit, ulja e nivelit të oksigjenit të tretur, lëshimi i sedimenteve ose ndryshimet e temperaturës së ujit. Megjithatë, shkaku i saktë mund të përcaktohet vetëm pas analizave laboratorike të ujit dhe verifikimeve nga institucionet kompetente.

Banorët kërkojnë që Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektorati i Mjedisit dhe institucionet e tjera përgjegjëse të kryejnë hetimet e nevojshme për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje dhe të marrin masat përkatëse nëse konstatohen shkelje.

Të Fundit