“Do kandidoj për kryeministër në Izrael!” Trump për Netanyahun: Ai do bëjë çfarë të dua unë, është njeri i mirë

Donald Trump deklaroi se është në koordinim të plotë me Benjamin Netanyahu lidhur me strategjinë ndaj Iranit, ndërsa nuk munguan edhe komentet me humor për një kandidim të mundshëm të tij në Izrael.

Gjatë një deklarate për mediat nga një bazë ajrore në Maryland, presidenti amerikan u shpreh se ka dakordësi të plotë me kryeministrin izraelit për mënyrën se si duhet menaxhuar situata me Iranin.

“Do të bëjë gjithçka që do t’i kërkoj. Është një njeri shumë, shumë i mirë”, tha Trump për Netanyahun.

Presidenti amerikan foli edhe për pozicionin e liderit izraelit në kohë lufte, duke theksuar se ai po përballet me presione të mëdha politike.

“Ai është kryeministër në kohë lufte dhe nuk besoj se do të trajtohet mirë”, u shpreh Trump.

Në një moment, Trump bëri edhe një koment me nota humori për popullaritetin e tij në Izrael.

“Aktualisht jam në 99% në Izrael. Mund të kandidoja për kryeministër”, deklaroi ai me ironi, duke shtuar: “Ndoshta pasi të mbaroj me këtë, do të shkoj në Izrael dhe do të kandidoj. Pashë një sondazh këtë mëngjes”.

Deklaratat e Trump vijnë pas raportimeve të Channel 12, sipas të cilave ai dhe Netanyahu zhvilluan gjatë natës një bisedë telefonike të gjatë dhe “dramatike”, megjithëse nuk janë bërë publike detaje mbi përmbajtjen e saj.

Në fund, Trump deklaroi se nuk po nxiton për të arritur një marrëveshje paqeje me Iranin, duke lënë të kuptohet se SHBA po ndjek me kujdes zhvillimet në rajon.

Të Fundit