Apeli i GJKKO shpall të pafajshme ish-drejtoreshën e ARRSH Sonila Qato

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur të pafajshme ish-drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, e akuzuar për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Vendimi u dha këtë të mërkurë nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Iliriana Olldashi, Engert Pëllumbi dhe Tereza Merkaj.

Apeli i GJKKO vendosi ndryshimin e pjesshëm të vendimit të Shkallës së Parë, duke deklaruar të pafajshëm Sonila Qaton, si edhe disa të pandehur të tjerë, pasi sipas gjykatës “fakti nuk përbën vepër penale”.

Po ashtu, gjykata shpalli të pafajshëm edhe shtetasit S.P, E.G dhe E.S për akuzën “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Ndërkohë, për të pandehurin S.P u la në fuqi vendimi i mëparshëm lidhur me akuzën për “Falsifikim dokumentesh”, pasi gjykata arriti në përfundimin se fakti nuk përbën vepër penale.

Në vendimin e shpallur në Tiranë më 20 maj 2026, Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi edhe vendimin e Shkallës së Parë për disa prej të pandehurve të tjerë në këtë çështje.

Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet gjyqësore të përballohen nga shteti.

Të Fundit