I zaptojnë pronën, ndërtojnë për qejf dhe kërcënojnë pronaren!

Jemi në Lezhë për problemin e zonjës Gresilda Malecaj, e cila, me ndihmën tonë, mundi të pajiset me certifikatë pronësie për dy dynymë ullishte në dhjetor 2025. Por tani, ajo po përballet me vështirësi, për ta marrë konkretisht pronën e saj, që vijon të jetë e uzurpuar nga dy shtetas, Gjergj dhe Saimir Simoni, të cilët jo vetëm kanë ndërtuar banesa në atë zonë, por i kanë edhe legalizuar ato. Përtej gjurmës së ndërtesave, ata kanë marrë në përdorim edhe një pjesë të konsiderueshme të truallit, që i përket zonjës Malecaj.Situata është përkeqësuar më tej, pasi Gresilda është përballur edhe me kërcënime, për të mos iu afruar pronës së saj. Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje pa konflikt, Gresilda Malecaj ka kërkuar ndihmën e Bashkisë Lezhë, për të bërë përcaktimin e saktë të kufijve të pronës, duke kërkuar, që të respektohen edhe banesat ekzistuese, por të ndahet dhe pjesa e lirë, që i takon asaj.Megjithëse u ngrit një grup pune dhe u kryen verifikime në terren, në përfundim asaj iu komunikua, se kërkesa nuk ishte e saktë, duke e lënë sërish pa zgjidhje. Ajo ka paraqitur kërkesë të re, por pa shumë shpresë për rezultat. Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, është shprehur publikisht, se rasti do të ndiqet deri në fund dhe nëse qytetarja ka të drejtë ligjore, ajo do të marrë atë, që i takon.

Të Fundit