Jemi në Lezhë me qytetarin Marash Çubi nga fshati Gocaj. Ai kishte blerë një traktor bujqësor pranë subjektit “ARTOM” SH.P.K, por hasi probleme serioze, kur u paraqit, për ta regjistruar në Drejtorinë e Transportit Rrugor në Laç. Gjatë kontrollit fizik, specialistët konstatuan, se numri i shasisë nuk përputhej me dokumentacionin dhe mjeti rezultonte i kërkuar në Interpol, çka çoi në bllokimin e tij për rreth dy muaj dhe referimin e rastit në Polici dhe Prokurori.Nga ana tjetër, përfaqësuesit e subjektit “ARTOM” SH.P.K deklaruan, se mjeti ishte importuar në mënyrë të rregullt nga Japonia dhe se dokumentacioni ishte në rregull. Ndërkohë, Oficeri i Policisë Gjyqësore Selami në Policinë e Lezhës konfirmoi, se çështja ishte në hetim nga prokurori Ismet Dervishi. Në Drejtorinë e Transportit Rrugor Laç, specialisti Pirolli shpjegoi, se fillimisht ishte paraqitur vetëm një certifikatë me numra, pa inicialet përkatëse të shasisë. Më pas, shefi i sektorit Bardhosh Toma sqaroi, se duke u mbështetur në atë dokumentacion, rasti ishte raportuar si problematik dhe ishte sinjalizuar. Megjithatë, kur u paraqitën dokumentet origjinale me të dhëna të plota, numra dhe iniciale, ai premtoi, se do ta përcillte rastin për rivlerësim në drejtorinë qendrore, duke e cilësuar si të pazakontë.Ajo që kishte ndodhur ishte, se dokumenti origjinal nuk ishte dorëzuar që në fillim nga shitësi, gjë që krijoi gjithë konfuzionin. Pas ndërhyrjes së emisionit “Stop”, institucionet u angazhuan me ritëm të përshpejtuar. Policia dhe Prokuroria e Lezhës rishqyrtuan provat, ndërsa Drejtoria e Transportit bëri verifikimet përfundimtare. Si rezultat, traktori u targua dhe u zhbllokua, ndërsa Marash Çubi, me targën në dorë, falënderoi publikisht emisionin për zgjidhjen e problemit të tij.




