Prej 9 vitesh, zonja Luke endet mes premtimeve të pambajtura dhe justifikimeve të njëpasnjëshme nga Agur Sadiku, i cili i detyrohet asaj plot 22 milionë lekë. Historia nis, kur Sadiku fitonte tendera dhe për të përmbushur furnizimet në institucione, produktet i siguronte zonja Luke me paratë e saj. Në fillim, ai i shlyente detyrimet, duke krijuar besim, por më pas pagesat u ndalën dhe komunikimi u kthye në një zinxhir mashtrimesh.Sa herë, që zonja i kërkonte paratë, ai i ndryshonte afatet. Herën e fundit i tha, se do t’i jepte një pjesë të detyrimit në 17 mars.Por sërish gënjeu. Madje, pas kësaj, Aguri e bllokoi, duke ndërprerë çdo komunikim.Në një ballafaqim të drejtpërdrejtë, Agur Sadiku pranoi vetëm 9 milionë lekë borxh, të cilat i ka edhe me deklaratë noteriale. Ndërkohë, pjesa tjetër e shumës, sipas zonjës Luke, është e dokumentuar me shkrimin e tij në një bllok, që ajo disponon. Për të kërkuar përgjigje, shkuam deri në banesën e tij në Urën Vajgurore, por reagimi i Agur Sadikut ishte kërcënues, duke iu drejtuar zonjës me fjalë të rënda dhe deri në kërcënime për jetën.Sot, pas 9 vitesh pritjeje, zonja Luke ka bërë kallëzim për mashtrim në Drejtorinë e Policisë Berat. Ndërsa Agur Sadiku vazhdon të pranojë vetëm një pjesë të borxhit.




