Një grua nga Tennessee në SHBA kaloi pothuajse gjashtë muaj në burg pasi një program i njohjes së fytyrës e identifikoi gabimisht si të dyshuar për një mashtrim bankar.
Angela Lipps, 50 vjeçe, u arrestua në korrik të vitit të kaluar pasi policia në Dakotën e Veriut përdori një mjet të inteligjencës artificiale për ta identifikuar në pamjet e kamerave të një banke. Sipas hetuesve, një grua kishte përdorur një dokument të rremë identiteti ushtarak për të tërhequr dhjetëra mijëra dollarë.
Një detektiv më pas krahasoi imazhin e kamerave me fotografitë e Lipps në rrjetet sociale dhe me patentën e saj të shoferit, pa e identifikuar personalisht. Autoritetet e takuan për herë të parë vetëm pasi ajo kishte kaluar 108 ditë në burgun lokal në Tennessee.
Pas arrestimit, Lipps u akuzua për katër raste të përdorimit të paautorizuar të të dhënave personale dhe katër raste vjedhjeje.
Megjithatë, çështja u rrëzua në prag të Krishtlindjes, pasi të dhënat bankare treguan se ajo ndodhej më shumë se 1,200 kilometra larg në momentin kur u krye mashtrimi.
Pasi u lirua, Lipps u detyrua të kalonte Krishtlindjen në një dhomë hoteli, pasi policia refuzoi të paguante shpenzimet e udhëtimit për kthimin e saj në Tennessee.
“Vishja vetëm rroba vere, nuk kisha pallto. Ishte shumë ftohtë, kishte borë në tokë. Isha e frikësuar dhe thjesht doja të dilja nga aty, por nuk e dija si do të kthehesha në shtëpi”, tregoi ajo për mediat lokale.
Ajo shtoi se periudha në burg i kushtoi shumë: Humbi shtëpinë, makinën dhe madje edhe qenin e saj, pasi nuk mund të paguante faturat ndërsa ishte e ndaluar.
Autoritetet thanë se çështja është ende nën hetim.
Ky nuk është rasti i parë kur teknologjia e njohjes së fytyrës çon në arrestime të gabuara. Në janar, një 26-vjeçar në Southampton të Britanisë, u arrestua pasi një algoritëm i inteligjencës artificiale e lidhi gabimisht me pamje të një grabitjeje të ndodhur rreth 160 kilometra larg.



