Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kanë zhvilluar këtë të hënë një takim me drejtuesit e strukturave vendore të Policisë në Shkodër.
Shkodra është qarku i parë ku po zhvillohet kjo seri takimesh prezantuese, në kuadër të drejtimit të ri të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.
Në fokus të diskutimeve janë problematikat e rendit dhe sigurisë në qark, ndërsa një vëmendje e veçantë i kushtohet luftës kundër kriminalitetit, veçanërisht kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Burime bëjnë me dije se takimet në Shkodër mund të shoqërohen edhe me ndryshime në nivelet drejtuese të Policisë së Qarkut. Vlerësimi i performancës së strukturave vendore dhe mënyra e reagimit ndaj problematikave kriminale pritet të jenë ndër elementët që do të merren në konsideratë.



