“Burrë besnik”, gruaja e Franc Çopjas dëshmon para gjykatës belge

Disa dëshmitarë u paraqitën të enjten në mëngjes para Gjykatës së Krimeve të Rënda në Bruksel, ku po gjykohen nëntë burra për vrasjen e Ardit Spahiut, e ndodhur më 27 nëntor 2020 në Molenbeek, shkruan media belge Lalibre.be.

Ndër dëshmitarët ishte partnerja aktuale e Franc Gergely-t, i njohur si “Çopja” dhe i dyshuar si “truri” që organizoi vrasjen. Ajo dëshmoi përmes videokonferencës nga Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e përshkruar partnerin e saj si një njeri besnik, “kurrë agresiv”, që “nuk ngriti kurrë zërin ndaj askujt”. Ajo shtoi se nuk ishte e informuar për ndonjë aktivitet kriminal të tij dhe deklaroi se ai ishte i pafajshëm.

Më herët, një dëshmitar shqiptar në të tridhjetat, me origjinë nga Elbasani – qyteti i lindjes së viktimës – tha përmes videokonferencës se njihte dy familjet Alibej dhe Çopja, të përfshira në një konflikt klanesh që nga dhjetori i vitit 2018. Kryetari i gjykatës e pyeti dëshmitarin për një incident të vitit 2017, që dyshohet se kishte shpërthyer në një lokal në Elbasan dhe ku ishte përfshirë Franc Gergely. Dëshmitari e përshkroi atë si një “mosmarrëveshje të vogël” dhe një “zënkë mes djemsh” që u përshkallëzua, duke konfirmuar se në incident ishin përdorur armë zjarri. Ai gjithashtu e quajti si të rreme një pjesë të dëshmisë që kishte dhënë më parë vëllai i gruas së vëllait të viktimës, anëtar i familjes Alibej.

Më herët gjatë mëngjesit, një ekspert i ADN-së raportoi në gjykatë se në vendin e krimit nuk ishte gjetur asnjë ADN përveç asaj të Ardit Spahiut dhe të burrit që po drejtonte makinën ku ndodhej viktima pak para vrasjes.

Të Fundit