Kryeministri Edi Rama mori fjalën sot në 29 janar në konkursin për ndërtimin e Shtëpisë së Fëmijëve dhe Kompleksin e Inspektoratëve.
Rama u shpreh se në Tiranë ndodhen arkitektët më në zë në Europë e në botë, që po ndërtojnë Shqipërinë europiane. Ai përmendi edhe projekte të rëndësishme, që po ndërtohen nga arkitektë të huaj, si stadiumi i ri, Pallati i Sportit, Bilbioteka Kombëtare dhe zyra të reja për administratën.
Sipas tij, këto projekte synojnë që të ndërtojnë Shqipërinë europiane.
“Duhet të krijojmë kushtet, që të përfitojmë nga bashkëpunimi publik-privat. Më vjen mirë që ka projekte, që i shërbejnë të ardhmes së vendit. Falë projekteve, do kemi një stadium të ri me përmasa europiane, një tjetër projekt, që po shkruajmë me këtë skuadër të re arkitektësh. Po ashtu, do kemi Bibliotekën Kombëtare. Do kemi një kompleks të ri zyrash për administratën, për një numër të konsiderueshëm institucionesh, do kemi Pallatin e Ri të Sportit. Sot hapim dyert për jetimët dhe për korpusin e ri të Inspektorateve. Shqipëria është bërë një vend, që është pikë referimi, si shtet që ka arkitektë me shumë zë në mbarë botën dhe u japim mundësinë edhe arkitektëve shqiptarë, që të marrin dije e të përfitojnë eksperienca, që nuk merren askund tjetër”, tha Rama.
Studiot arkitekturore janë tashmë në fazë konkursi për të ndërtuar Shtëpinë e re të Fëmijëve, një hapësirë moderne dhe dinjitoze, e konceptuar për mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve pa kujdes prindëror. Po ashtu, edhe për ndërtimin e Kompleksit të ri të Inspektoratëve, që synon bashkimin e institucioneve inspektuese në një strukturë funksionale, më efikase dhe më të aksesueshme, në shërbim të qytetarëve.




