Shifrat e raportit: Rënia demografike lë bosh auditorët e universiteteve

Një raport i Qendrës për Shërbime Arsimore për vitin akademik 2024–2025 tregon se mbi 21 mijë studentë nisën studimet, ndërsa rreth një e treta e kuotave mbetën bosh për shkak të rënies demografike.

Për këtë vit akademik janë ofruar gjithsej 32 177 kuota, nga të cilat 20 054 në institucionet publike dhe 12 123 në ato jopublike, ndërsa numri total i studentëve të regjistruar ka qenë 21 466, me 13 872 në universitete publike dhe 7 674 në institucione private.

Kjo do të thotë se janë plotësuar rreth 66.9% e kuotave, ku institucionet publike kanë arritur një nivel plotësimi rreth 69%, ndërsa ato jopublike rreth 63%, duke treguar se një pjesë e konsiderueshme e vendeve kanë mbetur bosh. Universitetet me peshën më të madhe në regjistrime janë Universiteti i Tiranës, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, Universiteti i Mjekësisë, Politekniku i Tiranës dhe Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan.

Sipas gjinisë, femrat përbëjnë rreth 59% të studentëve të regjistruar, ndërsa meshkujt rreth 41%, çka tregon një dominim të vajzave në arsimin e lartë. Në aspektin krahasues, regjistrimet totale kanë shënuar një rritje të lehtë krahasuar me vitin 2023–2024, megjithëse në sektorin publik vërehet një rënie e vogël, ndërsa institucionet private kanë pasur stabilizim ose rritje të moderuar. Femrat që regjistrohen në IAL kanë notë mesatare më të lartë se meshkujt.

Raporti evidenton gjithashtu kriteret e pranimit, ku nota minimale për shumicën e programeve është 6.5, për mësuesinë 7.5 dhe për gjuhët e huaja 7.0. Në tërësi, dokumenti tregon se sistemi universitar shqiptar për vitin 2024–2025 vazhdon të përballet me problematikën e kuotave të paplotësuara, ndikimin e rënies demografike dhe konkurrencën mes institucioneve, ndërsa femrat mbeten grupi dominues në regjistrime dhe universitetet publike vazhdojnë të mbajnë peshën kryesore të studentëve.

Të Fundit