Parku i Liqenit të Paskuqanit po shndërrohet në një nga hapësirat më të rëndësishme publike dhe rekreative të zonës metropolitane Tiranë–Kamëz. Kryeministri Edi Rama, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Rakip Sulin, panë nga afër investimet e realizuara dhe ecurinë e transformimit të kësaj hapësire.
Me një sipërfaqe prej 84 hektarësh, sipas kryeministrit ky park përfaqëson një investim të qëndrueshëm në shërbim të komunitetit, mjedisit dhe zhvillimit urban, duke u kthyer në një pikë referimi për cilësinë e jetës së banorëve.
Gjatë vizitës në park, kryeministri Rama vlerësoi transformimin e realizuar dhe e cilësoi Parkun e Liqenit të Paskuqanit si një model për administrimin racional të aseteve natyrore. Ai theksoi rëndësinë e promovimit të sporteve ujore, duke sugjeruar krijimin e një baze të posaçme për këtë aktivitet.
“Vazhdon puna intensive për një transformim që nuk ndalet edhe ky park është duke nisur të marrë një formë që mjafton të imagjinosh se si do të rritet kurora e pemëve në disa vite që vijnë për të kuptuar që falë kryetarit të bashkisë, me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, një aset i gjelbër i pa çmueshëm do t’i jepet kryeqytetit nga Kamza dhe kur sheh këtë transformim, të vjen keq se si u goditën dhe u çvlerësuan në të kaluarën, asete po kaq të vlefshme si liqeni i Farkës apo liqeni i Thatë, përpara se sa ato territore mund të futeshin në një administrim racional. Gjithsesi mësojmë nga Kamza Dhe ecim në shembullin e Kamzës”, u shpreh Rama.



