Policia e Korçës ka nisur procedimin penal për shtetasin Nevzat Çeco, 70 vjeç, babai i Martin Çeços i cili u vra në vitin 2022 për veprën penale “Kanosja serioze për hakmarrje ose për gjakmarrje”.
Procedimi ndaj të moshuarit ka ardhur pas deklaratës së tij një ditë më parë të publikuar në media ku ai shfaqet duke kanosur për jetën, autorët e dyshuar të vrasjes së djalit të tij, për të cilët Gjykata e Apelit Tiranë vendosi ndryshimin e masës së sigurisë nga “Arrest në burg” në masën “Arrest në shtëpi”.
“Djali më iku pa faj fare. Nuk kam çfarë të them. Arrest shtëpie është lirim. Jeta ime nuk më dhimbset fare, nuk i lë, sepse djali më iku pa faj fare. Ata janë vrasësit dhe tani i lirojnë. Gjykata i liroi, unë do shkoj t’i djeg me benzinë. Do t’i vras ata dhe veten, t’i them djalit: e mora hakun tënd. Gjykata i liroi dhe tallet me ne”, deklaroi babai i të ndjerit.



