Hynë në fuqi vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale.
Nga 40 mijë lekë, prej 1 janarit të 2026 paga minimale në vend bëhet 50 mijë lekë.
Ky vendim do të prek 307 mijë e 850 punonjës të regjistruar në sektorin publik dhe privat.
Sipas vendimit të qeverisë për 9 muajit e parë të zbatimit të pagës minimale, kostoja e rritur për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore nuk do të paguhet nga biznesi por nga shteti. Ndaj në buxhetin e shtetit është përcaktuar fondi prej 1 miliard lekësh, për kompensimin e kontributeve të punëdhënësit si rezultat i rritjes së pagës minimale.
Rritja e pagës minimale ndihmon në uljen e informalitetit në tregun e punës dhe në forcimin e respektimit të kontratave ligjore.
Në vitet e fundit, paga minimale ka ndjekur një trend të qëndrueshëm rritjeje, si përgjigje ndaj rritjes së kostos së jetesës dhe nevojës për forcimin e mirëqenies sociale.
Nga 24 mijë lekë në vitin 2017, përmes rritjeve të vazhdueshme ndër vite, paga minimale dyfishohet në 50 mijë lekë në vitin 2026, duke shënuar një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme.
Parashikimi afatmesëm i qeverisë është për ta çuar pagën minimale në 60 mijë lekë në vitin 2028.



