Policia e Vlorës ka gjetur dhe sekuestruar 179 fishekzjarre në një ushqimore, që i tregtonte në kundërshtim me ligjin. Sipas njoftimit të policisë nën hetim është vënë shitësja 31-vjeçare që tregtonte lëndët piroteknike, të cilat janë të ndaluara me ligj.
“Në kuadër të zbatimit të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, në prag të festave të fundvitit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, kanë intensifikuar kontrollet në subjekte tregtare.
Si rezultat, gjatë kontrollit të ushtruar në një subjekt tregtar me aktivitet ushqimore, në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, u konstatuan 179 copë lëndë piroteknike (fishekzjarre), të cilat mbaheshin për tregtim në kundërshtim me ligjin.
Lëndët piroteknike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale si dhe nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare u referuan materialet në Prokurorinë dhe nisi procedimi penal për shtetasen D. K., 31 vjeçe, banuese në Vlorë”, njofton policia.
Me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve gjatë festave të fundvitit, policia njofton se kontrollet për parandalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Vlorë, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve gjatë festave të fundvitit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



