Emri i Shpëtim Behlulit, ish-drejtor i Qendrës Shëndetsore Shkozë, është përmendur për një sërë shkeljesh, që nga menaxhimi i mbetjeve spitalore, deri te abuzimet me fondet dytësore. Në tetor 2023, qendra, që ai drejtonte u kap duke depozituar mbetje të rrezikshme në koshat e mbetjeve urbane pranë institucionit, duke marrë gjobë 10 milionë lekë. Më pas, auditimet e periudhës 2022–2023 nxorën problematika të shumta, si blerje fiktive, pagesa të pajustifikuara për punonjës, sasi të fryra të mbetjeve spitalore etj. Pavarësisht këtyre shkeljeve, Behluli u emërua mjek në një nga pikat e Qendrës Shëndetësore nr. 10 në Tiranë. Gjatë 2024-s, ai ka marrë rreth 3 muaj pushim, përmes raporteve të ndryshme mjekësore. Mes tyre, bie në sy një raport 6-ditor për Sindromën Turner, një çrregullim gjenetik, që shfaqet vetëm te femrat. Mjekja Bruna Shiroka e konfirmon qartë, se një mashkull, nuk mund të marrë kurrë raport për Sindromën Turner, pasi diagnoza vendoset vetëm pas ekzaminimeve të specializuara dhe lidhet me mungesën e një kromozomi X tek femrat.I pyetur për këto abuzime, Behluli ka reaguar me agresivitet ndaj gazetarit.



