David Shkurtaj, banor i lagjes “Mark Lula” në Shkodër, jeton prej 25 vitesh në Itali, por shtëpia e tij me certifikatë pronësie të vitit 1994, ende nuk e lejon, të ndërtojë katin e dytë. Sipas tij, shtëpia është e amortizuar dhe uji ka filluar të depërtojë në të gjitha anët, por Bashkia Shkodër refuzon të japë leje, pa një certifikatë të rinovuar, që kadastra nuk ia mundëson. Davidi tregon, se ka bërë aplikime për dhjetë vite me radhë, ka dorëzuar të gjitha dokumentat dhe madje ka një vendim gjykate të vitit 1994, që vërteton pronësinë e tij. Megjithatë, çdo herë i kërkohet saktësim i të dhënave, mungesë dokumentacionesh, ose verifikime në arkivat e shtetit, të cilat nuk kanë mundur të konfirmojnë dokumentet, për shkak të trazirave të vitit 1997, që u pasuan me djegie dokumentacioni.Në fund, David mund të marrë vetëm një vërtetim hipotekor për pjesën e truallit dhe ndërtesës, por edhe ky nuk mjafton, për të marrë leje rikonstruksioni. Edhe pas 10 vitesh përpjekjeje, qytetari përballet me burokracinë, që nuk zgjidh asgjë, duke e detyruar të presë pa afat për një të drejtë, që ligjërisht i takon.



