Duka komenton shortin: Në letër nuk jemi favoritë, por do bëjmë maksimumin

Në shortin e play-off-it të Kupës së Botës, i hedhur sot në selinë e FIFA-s në Zyrih, Kombëtarja Shqiptare mësoi kundërshtarët e saj në rrugën drejt Botërorit. Të pranishëm në ceremoninë e shortit ishin presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe trajneri Sylvinho.

Sipas shortit, Shqipëria do të përballet në gjysmëfinale me Poloninë, një skuadër që kuqezinjtë e kanë sfiduar disa herë vitet e fundit. Nëse arrijnë të kalojnë polakët, në finale i pret fituesi i përballjes Ukrainë–Suedi.

Presidenti Duka, në një prononcim për fshf.org, u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen në play-off, por realist për vështirësinë e sfidave.

“Jam shumë i lumtur që jemi në short për play-off, nuk prisja ndonjë dhuratë. Të gjitha ekipet janë të forta. Polonia është një skuadër shumë e fortë, me një nga yjet e futbollit europian, por ne do të tentojmë shanset tona. Duhet të përqendrohemi maksimalisht.”

Sa i përket një finaleje të mundshme kundër Ukrainës ose Suedisë, Duka theksoi se nuk kishte preferenca.

“Nuk kam pasur asnjë dëshirë specifike për kundërshtarët, të gjithë janë të fortë. Në letër ne nuk jemi favoritë, por do të bëjmë maksimumin. Futbolli nuk është matematikë, ka të papritura dhe emocione. Shpresojmë t’u dhurojmë tifozëve tanë emocione pozitive.”

Të Fundit