AKU bllokon 25 ton misër me aflatoksinë në Shkodër, vinte nga Serbia

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka bllokuar në Shkodër një kamion me 25 ton misër që vinte nga Serbia.

Ngarkesa është ndaluar në doganën e Hanit të Hotit, teksa po hynte në territorin shqiptar nga Mali i Zi.

Sipas burimeve zyrtare, gjatë kontrolleve laboratorike është konstatuar prania e aflatoksinës B1 në nivele mbi normat e lejuara për Shqipërinë.

Edhe pse kjo sasi mund të konsiderohet e pranueshme në vendet e Bashkimit Evropian, standartet shqiptare janë më të rrepta dhe nuk e lejojnë hyrjen e këtij produkti në treg.

Sasia e bllokuar, që ishte e destinuar për qytetin e Elbasanit dhe e kategorizuar si misër blegtoral, është ndaluar menjëherë nga AKU Shkodër për të shmangur çdo rrezik potencial për shëndetin e kafshëve dhe konsumatorëve.

Ndërkohë, autoritetet e AKU-së në Shkodër kanë ndërhyrë edhe në një fermë qumështi në fshatin Trush, ku pas inspektimeve janë konstatuar disa parregullsi në procesin e prodhimit dhe ruajtjes së produktit.

Si pasojë, subjekti është bllokuar deri në plotësimin e kushteve të nevojshme higjieno-sanitare.

AKU ka theksuar se kontrollet do të vijojnë në të gjithë qarkun me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Të Fundit