Rudin Sulejmani nga Vlora, kërkonte prej më shumë se një viti të takonte vajzën e tij 15 muajshe, por ish-bashkëjetuesja Xhesika Leka nuk e lejonte, pavarësisht se kishte një vendim gjykate të formës së prerë. Çështja ishte në ekzekutim nga Zyra Përmbarimore Vlorë, nëpërmjet përmbaruesit Fitim Koçia, por përpjekjet kishin dështuar, pasi nëna fshihej dhe refuzonte bashkëpunimin.Pas transmetimit të rastit më 7 tetor 2025 në emisionin “Stop”, situata mori jehonë publike. Ngjarja solli reagime të shumta. Psikologia klinike Brunilda Lanoviti e quajti të papranueshme sjelljen e nënës dhe kërkoi ndërhyrje të shtetit për kontroll dhe rivlerësim të kujdestarisë. Ndërkohë, drejtoresha e Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, Alma Tandilli, deklaroi se do të ngrihej një grup ndërsektorial, për të hetuar rastin dhe për të verifikuar kushtet e nënës.Përfaqësuesi i shoqatës “Alo 116–111”, Klaudio Pulaha, bëri të ditur, se pas publikimit në media, nëna ishte sensibilizuar dhe kishte filluar të bashkëpunojë me institucionet.Falë ndërhyrjes së përmbarimit dhe njësisë së mbrojtjes së fëmijëve, të shtunën Xhesika Leka i mundësoi Rudin Sulejmanit takimin me vajzën, duke shënuar një kthesë pozitive në këtë ngjarje. Megjithatë, institucionet do të vazhdojnë monitorimin dhe kontrollet, për të siguruar respektimin e të drejtave prindërore dhe mirëqenien e fëmijës.




