Shqipëria po përjeton një bum të ri në hapjen e bar-kafeve, duke e konfirmuar këtë sektor si një nga bizneset më të preferuara të shqiptarëve. Të dhënat e publikuara nga Administrata Tatimore tregojnë se vetëm në vitin 2024 u regjistruan 2,033 subjekte të reja, me një rritje prej 10.4% krahasuar me vitin 2023, kur numri i bizneseve të reja në këtë fushë ishte 1,840.
Tendenca vijon edhe gjatë vitit aktual: në katërmujorin e parë të 2025 janë regjistruar 744 bar-kafe të tjera, duke e çuar totalin e tyre aktiv në nivel kombëtar në 15,348. Krahas rritjes së fortë të regjistrimeve, çregjistrimet mbeten minimale – vetëm 65 në vitin 2024 dhe 61 në katër muajt e parë të këtij viti.
Ekspertët dhe tatimet shpjegojnë se një ndër arsyet kryesore të rritjes është regjimi fiskal favorizues. Ligji nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikon tatim 0% për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë lekë në vit, përfshirë edhe aktivitetet “bar-kafe”, të regjistruara si persona fizikë apo juridikë. Ky përjashtim ka krijuar kushte të favorshme për hapjen e dhjetëra bizneseve të reja në këtë fushë.
Përveç politikës fiskale, rikthimi i vendit si destinacion turistik është një tjetër faktor që ka gjallëruar sektorin, i cili prej disa vitesh vuante tkurrje nga emigracioni dhe rënia e frekuentimit, sidomos nga të rinjtë.
Megjithatë, paralajmërimet nuk mungojnë. Ekspertët theksojnë se rritja e shpejtë e numrit të bar-kafeve rrezikon të çojë në tejngopje të tregut, në një kohë kur bizneset po hasin gjithashtu vështirësi me gjetjen e fuqisë punëtore.