Zjarri shkrumboi bagëti e bletë, kafshët e ngordhura po groposen për të shmangur sëmundjet

Vatrat e zjarrit që përfshinë bashkitë Delvinë, Finiq dhe Gramsh kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe në blegtori, kullota dhe parcela me ullinj.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka ngritur grupe pune për monitorimin e fermave dhe raportimin mbi gjendjen shëndetësore të kafshëve blegtorale në zonat e prekura nga zjarret.

Nga të dhënat e deritanishme nga terreni, konstatohet se në total janë djegur 120 krerë të imta, 4 viça, 9 gjedhë, si dhe rreth 700 koshere bletësh.

Situata më e rënduar është në bashkinë Delvinë, aty ku dëmet në blegtori janë më të mëdha.

Paralelisht, edhe në disa fshatra të bashkisë Gramsh situata është shqetësuese. Konkretisht, fshatrat Skënderbegas, Arunas, Shëmbërdhenjë, Bletës dhe Kullollas.
Dëme janë konstatuar edhe në djegien e qindra ha sipërfaqe toke në kullota apo dhe në parcela me ullinj, por deri më tani nuk ka një shifër konkrete.

Në Finiq situata është normale, pa humbje në bagëti, por me dëme në kullota dhe ullishte. Sipas njoftimit të autoritetit, fermerët janë udhëzuar për hapat që duhet të ndjekin në rast rreziku.

Ndërsa në disa fshatra të bashkisë Finiq, dëmtimi i kullotave rrezikon mungesën e ushqimit për bagëtitë, të cilat u evakuuan në zona të sigurta, larg vatrave të zjarrit.

Autoriteti njofton gjithashtu se kafshët e ngordhura po groposen. Deri më tani, sipas protokolleve veterinare, janë groposur 39 krerë të imta dhe gjedhë.

Ndërkohë, rreziku nuk konsiderohet i tejkaluar, pasi ka ende vatra aktive të zjarrit në këto zona.

Të Fundit