Transferimi nga burgu i Durrësit në Fier, reagon Veliaj: Rrëmbim policor, cenon rëndë të drejtat e mia

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj këtë të mërkurë ka dalë me një reagim në mediat sociale lidhur me vendimin për transferimin e tij nga IEVP Durrës në burgun e Fierit. Veliaj e ka cilësuar këtë veprim si një akt pa transparencë dhe “rrëmbim policor”.

Ai ka i bërë thirrje Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, duke u kërkuar të ndërhyjnë urgjentisht për të verifikuar shkaqet e atij që e quan “transferim politik”.

 “Sot, një grup punonjësish të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë paraqitur në IEVP Durrës për të më transferuar në burgun e Fierit.

Pavarësisht kërkesave të përsëritura, si nga unë ashtu edhe nga avokati im, për t’u njohur me aktin që urdhëron transferimin dhe arsyet që e justifikojnë atë, na është refuzuar vënia në dispozicion e këtij dokumenti.

Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia.

Unë nuk kam dhënë pëlqimin për këtë transferim dhe kam kundërshtuar mënyrën se si po realizohet, pa transparencë dhe pa më mundësuar ushtrimin efektiv të të drejtave të mia ligjore.

I kërkoj publikisht Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit të ndërhyjnë urgjentisht, të verifikojnë arsyet dhe shkaqet e këtij transferimi politik”, shkruan Veliaj.

Të Fundit