Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe nënpresidentja Kamala Harris po përgatiten të përballen në debatin e tyre të parë presidencial, me zgjedhjet presidenciale që janë më pak se dy muaj larg.
Debati i së martës do të jetë hera e parë që Trump dhe Harris – respektivisht kandidatët për partitë republikane dhe demokratike, do të ndajnë të njëjtën skenë. Të dy nuk janë takuar kurrë personalisht.
Trump kishte planifikuar të përballej me Presidentin Joe Biden në debatin e të martës, por largimi i këtij të fundit nga gara solli zhvillime të rëndësishme në politikën amerikane. Trump tashmë ka përballë zëvendëspresidenten, Kamala Harrais, e cila ka përmirësuar ndjeshëm performancën e saj sipas sondazheve.
Ndërkohë, fushata e Trumpit është përqëndruar për t’iu përgjigjur entuziazmit të ri të kampit kundërshtar.
Me Harris në ngritje dhe Trump që kërkon një mënyrë për të ndalur vrullin e saj, debati mund të jetë takimi i tyre i vetëm dhe i drejtpërdrejtë përpara votimit më 5 nëntor.
Kur dhe ku është debati?
Debati do të zhvillohet në orën 21:00 sipas kohës Lindore të SHBA-së, më datë 10 shtator. Vendi i debatit është caktuar në Qendrën Kushtetuese Kombëtare (NCC) në Filadelfia, në Pensilvani. Përballja është caktuar të zgjasë 90 minuta.
NCC është një organizatë jofitimprurëse, aty ndodhet një muze që promovon edukimin rreth Kushtetutës së SHBA.
Qendra ka shërbyer si një vend për ngjarjet politike kombëtare dhe në të kaluarën, duke përfshirë një debat gjatë primareve brenda demokratëve në vitin 2008.
Debati zhvillohet nga ABC News në bashkëpunim me degën e tij lokale, WPVI-TV/6ABC.
Kush do ta moderojë debatin?
Pritësi i ABC World News Sonte, David Muir dhe prezantuesja e ABC News Live Prime, Linsey Davis do të shërbejnë si moderatorë.
Sondazhet dhe rëndësia e debatit:
Me vendimin e Biden për t’i dhënë fund fushatës së tij duke ndryshuar dinamikën e garës, Harris dhe Trump do ta përdorin debatin për të fituar sa më shumë mbështetje.
Sipas mesatareve të sondazheve kombëtare nga Real Clear Politics, demokratët kanë shkuar nga prapa Trump me 3.1 për qind në nivel kombëtar, në kryesimin me 1.8 pikë në javët e fundit. Ky është një përmirësim gati prej pesë pikësh në pak më shumë se një muaj.
Por Marc Trussler, drejtor i shkencave të të dhënave në Programin Penn për Hulumtimin e Opinionit dhe Studimet Zgjedhore në Universitetin e Pensilvanisë, tha se pavarësisht ndryshimit mbresëlënës, Harris mbetet “kokë më kokë” me Trump.
Gara e ngushtë mes dy kandidatëve bën që përballja e të martës të ketë një rol vendimtar në zgjedhjet e nëntorit.