Policia ka vendosur shpërblim 10 mijë euro për këdo që ka informacion për efektivin Erjon Goxhara, i cili ditën e djeshme plagosi me armë zjarri Lorenc Kostën.
Ngjarja ndodhi për motive të dobëta, pasi autori dyshonte se Kosta kishte lidhje me bashkëshorten e tij.
Efektivi i policisë qëlloi 6 herë në drejtim të 45 vjeçarit dhe plumbat e kapën në këmbë e një në bark.
Pasi e plagosi ai e filmoi dhe më pas u largua, dyshohet në drejtim të Dajtit.
Drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, në një deklaratë për mediet i bëri thirrje që të dorëzohet. Megjithatë Goxhara nuk është arrestuar ende.
Njoftimi i policisë:
Lidhur me ngjarjen e datës 19.08.2024, ku rreth orës orës 14:30, në rrugën “Tish Daija”, përballë me market “Xhangolli”, si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka mbetur i plagosur shtetasi Lorenc Vasil Kosta, i datëlindjes 14.12.1979, lindur në Berat dhe banues në Tiranë:
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Agjensinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) Drejtoria Rajonale Tiranë, pas kryerjes se veprimeve të thelluara hetimore dhe informacioneve të marra nga inteligjenca policore, bënë të mundur indentifikim dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit Erjon Goxhara, 46 vjeç, banues në Tiranë, për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shperthyese dhe o municionit”, parashikuar nga nenet 78, 22 dhe 278/1 të Kodit Penal.
Nga terësia e veprimeve të thelluara hetimore e procedurale, si këqyrja e vendit të ngjarjes, këqyrja paraprake e kamerave të sigurisë, pyetja e dëshmitareve okularë, ka rezultuar se me datë 19.08.2024, rreth orës 14:00, në rrugën “Tish Daija”, përballë me market “Xhangolli”, Tiranë, shtetasi Erjon Xhevdet Goxhara i datëlindjes 27.01.1978, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policisë në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë, jashtë shërbimit, për motive të dobëta ka qëlluar disa herë me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit Lorenc Vasil Kosta, i datëlindjes 14.12.1979, banues në Tiranë, me arsim të lartë, i cili si pasojë e të shtënave ka marrë disa plagë në trup (bark dhe gjymtyrët e poshtme).
Menjëherë pas ngjarjes i dëmtuari Lorenc Kosta, është dërguar për ndihmë të specializuar mjekësore në spitalin e Traumës, Tiranë, ku aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekve, ndërsa autori i dyshuar Erjon Goxhara është larguar nga vendi i ngjarjes, duke i’u shmangur ndjekjes policore.
Gjatë këqyrjes se vendit të ngjarjes ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 (gjashtë) gëzhoja kalibër 9 mm, 1 (një) predhë me ngjyrë bronxi e deformuar, një këmishë predhe me ngjyrë bronxi, 3 rripa pantallonash të ndotur me ngjyrë të kuqe si ajo e gjakut, etj.
Lidhur më këtë ngjarje, janë sekuestruar dhe këqyrur pamjet filmike, të administruar nga disa subjekte private në vendin e ngjarjes, janë shoqëruar dhe pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat të hetimit, disa shtetas, dëshmitar okularë, dhe familjarë të autorit të dyshuar, të cilët kanë dhënë shpjegime mbi konfliktin mes të dëmtuarit dhe të dyshuarit, janë këqyrur të dhënat/komunikimet elektronike etj.
Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për dokumentimin e plotë ligjor, me prova, të kësaj ngjarje kriminale, lokalizimin dhe kapjen e autorit Erjon Goxhara, i cili është shpallur në kërkim.
Shërbimet policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të mbështetur nga Forcat Speciale RENEA, Forcat e Sigurisë Kombëtare janë angazhuar në një operacion të gjërë kërkimi, lokalizimi dhe kapjen e personit të kërkuar, kryesisht në përiferi të Tiranës ku dyshohet se autori është larguar pas ngjarjes.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, për cilindo që jep informacion të saktë për vendodhjen e personit të kërkuar Erjon Goxhara, vë në dispozicion si shpërblim shumën prej 10.000 euro, si dhe numrin kontaktit celular 0694111546, duke siguruar anonimatin e plotë.