Një 76-vjeçare në Greqi ka rënë pre e një mashtrimi. Ajo ka denoncuar në komisariatin e Vari-Voulas-Vouliagmenit se pasditen e së premtes së kaluar mori një telefonatë nga një grua, e cila i tha se ishte punonjëse policie.
Telefonuesja i kishte thënë se vajza e së moshuarës kishte aksidentuar me makinë një fëmijë, i cili kishte humbur jetën.
Duke u shtirur si punonjëse policie, ajo i kishte thënë se për të liruar vajzën nga burgu duhet të paguante 100 mijë euro.
Dhe e moshuara, sipas rrëfimit të saj, kishte futur 100 mijë euro në një qese dhe e kishte lënë në një kosh plehrash jashtë shtëpisë së saj, ku kishte ardhur dhe e kishte marrë një person.
76-vjeçarja ka dëshmuar në polici se e panjohura e telefonoi sërish dhe kësaj here i kërkoi edhe 30 mijë euro të tjera.
Kësaj radhe e moshuara i kishte futur paratë në një çantë dhe i kishte lënë jashtë një kishe.